Netët e filmit suedez - “Një person mund të bëjë diferencën”

16 Sht 2022, 7.00 e pasdites

Ambasada e Suedisë në Tiranë ka kënaqësinë t’ju ftojë në Festivalin e Filmit Suedez, në Kinema “Millenium”, Rr. “Murat Toptani”, Tiranë, nga data 16 deri më 18 Shtator 2022.

Ne do të shfaqim tri filma të përzgjedhur nga produksionet suedeze të vitit 2022: Kori, Fëmijët e Armikut dhe Tigrat. Filmi Martha & Niki do të shfaqet në ambientet e hapura tek Reja.

Filmat do të transmetohen në suedisht të shoqëruar me titra në gjuhën shqipe. Hyrja falas, pa bileta.



Përmbledhja e filmit dhe biografia e regjisorit:

Fëmijët e Armikut – E premte 16 Shtator 2022, ora: 19.00

E bija e Patricio Galvezit u martua me një nga terroristët më famëkeq të ISIS-it në Suedi. Në vitin 2014, ata iu bashkuan luftës për një kalifat në Siri. Të dy u vranë gjatë rënies së kalifatit në vitin 2019, por shtatë fëmijët e tyre të vegjël mbijetuan dhe u internuan në kampin famëkeq al-Hol si “Fëmijë të Armikut”. Kur autoritetet suedeze nisin të tregojnë pak interes për lirimin e tyre, Patricio ndërmerr i vetëm një fushatë për shpëtimin e jetëve të tyre dhe për t’i sjellë në shtëpi.

Gorki Glaser-Müller është kineast, skenarist filmash dhe artist i multimedias, i cili punon me formate eksperimentale, të tilla si VR. Ai ka lindur në Santiago, Kili, në vitin 1973 dhe ka ardhur në Suedi në moshën 13-vjeçare. Që prej diplomimit në Akademinë Valand në Gotenburg (Suedi), ai ka eksperimentuar me rrëfimin audioviziv në forma të ndryshme. Filmi i tij i parë me metrazh të gjatë ishte filmi Një Herë në Vit (2013) i cili u vlerësua pozitivisht nga kritika. Fëmijët e Armikut është dokumentari i tij i parë me metrazh të gjatë.

Martha & Niki – E shtunë, 17 Shtator 2022, 18.00 tek Reja

Në vitin 2010, Martha Nabwire dhe Niki Tsappos morën pjesë në konkursin më të madh ndërkombëtar të kërcimit të rrugës Juste Debout, në Paris. Ishte e para herë në të gjithë historikun e kërcimit të rrugës që dy vajza shpalleshin kampione bote në hip hop. Ky film përshkruan dashurinë e Martës dhe të Nikit për kërcimin, për njëra-tjetrën dhe për miqësinë e vënë në sprovë. Ky film flet për dëshirat, ndjenjat e zjarrta dhe gjetjen e rrugës së duhur në jetë.

Tora Mårtens ka lindur në Stokholm. Ajo është fotografe filmi dhe punimet e saj janë publikuar gjerësisht në një sërë revistash dhe gazetash, si edhe janë ekspozuar në muze dhe galeri të ndryshme. Tora është diplomuar në Institutin e Dramës në vitin 2007. Ajo është regjisorja dhe producentja e dokumentarit Tommi në Kubë, në vitin 2007. Së fundmi, Tora ka fituar “Çmimin e  Konkursit Media Pa Kufi”, në Francë për filmin e saj Dolce Vita me proshutë.  

Kori – E shtunë, 17 Shtator 2022, 21.00

Në filmin Kori, drejtoresha Amanda Pesikan bashkohet me një nga koret më të famshëm në Suedi në një udhëtim shumë të rëndësishëm në Çikago, vendi i lindjes së ungjillit. Shumë shpejt, udhëtimi kthehet në një sfidë shpirtërore dhe emocionale, ku pikëpyetjet për besimin, lidershipin dhe shpirtëroren do ta venë dashamirësinë për njëri-tjetrin në sprovë. Filmi dokumenton një periudhë vendimtare në historikun e korit, mes përballjeve me problematikat e besimit, individualitetit dhe komunitetit.

Tigrat – E diel, 18 Shtator 2022, ora: 19.00

Sukses apo udhëtim drejt vdekjes në industrinë bashkëkohore të futbollit. Me humor të zi dhe një këndvështrim unik për botën e sportit, në filmin e tij të dytë me metrazh të gjatë si regjisor, Ronnie Sandahl paraqet historinë e vërtetë se si talenti 16-vjeçar në futboll, Martin Bengtsson, u shit tek një klub i madh futbolli në Itali – një ëndërr fëmijërie e cila u kthye në një makth rrëqethës. Historia e fëmijërisë së një të riu për ëndrrën e tij pasionante në një botë ku gjithçka dhe gjithkush ka një çmim.

Ronnie Sandahl (lindur në vitin 1984) është skenarist, regjisor dhe autor me përvojë në gazetari. Që pas debutimit me filmin me metrazh të gjatë I nënshtruari (2015), Ronnie është duke punuar për një trilogji mbi sportin dhe psikologjinë. Përveç filmit Tigrat, ai ka shkruar edhe skenarin për Borgu kundër McEnroe (2017) dhe filmin e zhanrit dramë Perfekte, i cili ka të bëjë me gjimnastikën dhe pritet të dalë së shpejti, nën regjinë e Olivia Wilde. Së fundmi, filmi është blerë nga Searchlight Pictures pas një lufte të nxehtë ofertash.